Home Edukim VV paralajmëron se do t’i dërgojë në Kushtetuese emërimet në AKI

VV paralajmëron se do t’i dërgojë në Kushtetuese emërimet në AKI

24 views
0
SHARE

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas emërimit të drejtorit të AKI-së e Inspektorit të Përgjithshëm nga kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj dhe presidenti Hashim Thaçi.

Përmes një reagimi për media, në VV thonë se “sot u njoftuam nga mediet për pazarin e ri të Thaçit e Haradinajt në kurriz të shtetit”.

“Sa më shumë afrohet dita e largimit të PAN-it nga pushteti, aq më shumë po dalin në pah fijet që i mbajnë lidhur. Thaçi e mori drejtorin e AKI-së e Haradinaj e mori kryeinspektorin”, thuhet në reagim.

Kjo parti thotë se propozimi nga Haradinaj dhe dekretimi nga Thaçi për të dy këto pozicione është përveç të tjerave dhe antikushtetues.

“Në dy drejtime, sepse ish-kryeministri s’mund ta ushtrojë këtë kompetencë e Presidenti s’mund të dekretojë propozime nga një ish-kryeministër. Propozimet janë po ashtu emërime politike. I pari, ish-vartës i Hashim Thaçit në MPJ, u emërua si drejtor i AKI-së pasi që dështoi t’i mbrojë numrat e Z-mobile nga pozitat e drejtorit të bordit të ARKEP-it. I dyti u emërua kryeinspektor pasi dështoi të bëhej deputet i AAK-së, i cili mbahet mend për ankesat e tij rreth vjedhjes së votave që iu bënë nga brenda subjektit të tij. Duket se ky emërim ishte dhe rehatimi i tij”, thuhet në njoftimin për media të LVV-së.

“Sigurisht që me t’u konstituuar institucionet ky vendim antikushtetues do të adresohet për këtë shkelje të rëndë e paprecedentë. Ditët e abuzimeve të PAN-it kanë mbaruar, po ashtu edhe mundësitë e tyre për ta rrënuar më tej rendin kushtetues”, thuhet në fund të njoftimit.

SHPËRNDAJE

http://mesazhi.com/vv-paralajmeron-se-do-ti-dergoje-ne-kushtetuese-emerimet-ne-aki/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here