Home Edukim Vetëvrasjet po bëhen problem serioz i shoqërisë kosovare

Vetëvrasjet po bëhen problem serioz i shoqërisë kosovare

16 views
0
SHARE

Vetëvrasjet në Kosovë po vazhdojnë të jenë një problem i përgjithshëm shoqëror.

Statistikisht që nga paslufta në Kosovë për 19 vite, vetëvrasje kanë kryer 1,138 persona – derisa prej tyre vetëm këtë vit kishim mbi 30 raste.

Ani pse krahasuar me të kaluarën, numri i vetëvrasjeve ka rënë viteve të fundit – ky fenomen vazhdon të jetë problem për shoqërinë, shkruan lajmi.net.

Lidhur me këtë lajmi.net ka biseduar me sociologë dhe psikologë për të detektuar shkaqet më të shpeshta që dërgojnë në vetëvrasje.

Sociologu Ferdi Kamberi në një intervistë për lajmi.net është shprehur se vetëvrasja është e pranishme në çdo shoqëri dhe kulturë.

Kamberi ka thënë se sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë çdo 40 sekonda një njeri bën vetëvrasje në botë dhe sipas tij, pas luftës në Kosovë ky fenomen është bërë i frikshëm.

Ai ka cekur gjithashtu disa lloje të vetëvrasjeve që sipas tij tregojnë të gjitha rastet e vdekjes që rezultojnë në mënyrë direkte ose indirekte nga akti pozitiv a negativ i vetë viktimës.

“Vetëvrasja është një ndër fenomenet shoqërore e cila është e pranishme në çdo shoqëri apo kulturë. Sot, konsiderohet si një ndër problemet dhe sfidat e shoqërisë (post)moderne e cila po atakon individin po ashtu edhe vetë familjen si celulë e shoqërisë. Studimet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tregojnë se çdo 40 sekonda një njeri bën vetëvrasje në botë. Madje ky fenomen konsiderohet si problemi i tetë më i madh në botë. Në Kosovë ky fenomen ka qenë prezentë edhe më herët, por pas vitit 1999 e këtej është shpeshtuar goxha shumë, duke u shndërruar një fenomen i cili paraqet një rrezik serioz për vetë shoqërinë kosovare. Vetëvrasja si fenomen nënkupton të gjitha rastet e vdekjes që rezultojnë në mënyrë direkte a indirekte prej aktit pozitiv a negativ të vetë viktimës, i cili e kupton se çka do të prodhojë rezultati i aktit të tillë”. Sipas sociologëve në veçanti Emile Dyrkemi, ekzistojnë këto forma të vetëvrasjes: a) altruiste, b) anomike c) egoiste dhe d) fataliste”, ka thënë Kamberi për lajmi.net.

Kamberi ka elaboruar një pas një llojet e vetëvrasjeve duke shtuar në fund se këto lloje të vetëvrasjeve janë edhe më të shpeshtat që ndodhin.

Vetëvrasja anomike karakterizohet nga çrregullime të rënda, dhe shpërthen nga prishja e marrëdhënieve të një individi me shoqërinë e tij; humbja e vendit të punës, depresioni ekonomik, pasurimi i papritur, ndërrimi i sistemit shoqëror, etj. Vetëvrasja egoiste ndodh atëherë kur personi ka shumë pak lidhje me shoqërinë e tij. Kërkesat shoqërore, ndër to kryesisht kërkesa për të jetuar, nuk e arrijnë individin egoist. Vetëvrasja altruiste është ajo që kërkohet nga shoqëria, nga grupi social ku individi është i integruar. Individi e jep jetën e vet në mënyrë që shoqëria e tij të përfitojë. Harakiri është një prej vetëvrasjeve altruiste. Murgjit budistë që e dogjën veten deri në vdekje si shenjë proteste ndaj padrejtësive të luftës së Vietnamit janë përkujtues të atyre individëve që bëjnë vetëvrasje altruiste. Ka edhe kulte të ndryshme (disa sekte sataniste, “Tempulli i Davidit”, etj.) që si pjesë të ritualeve të tyre kanë vetëvrasjet. Në fund të këtij klasifikimi kemi edhe vetëvrasjen fataliste. Ky lloj i vetëvrasjes, të cilin Dyrkemi e kishte përshkruar në një fusnotë, karakterizohet nga një mënyrë rregullacioni, apo e të të rregulluarit të shtuar a të tepërt. Këto janë shumë të rralla, dhe ndodhin atëherë kur individi e vlerëson se rrethanat në të cilat ai jeton janë bërë thjesht të papërballueshme: kështu, p.sh., shërbëtorët dhe skllevërit të cilët nuk mund t’i përballojnë rregullat e imponuara mbi ta, ushtari që nuk i përballon urdhrat, etj., mund të vetëvriten”, ka thënë Kamberi për lajmi.net.

Duke folur për shkaqet më të shpeshta të vetëvrasjeve në shoqërinë kosovare, Kamberi ka përmendur tranzicionin që ka prodhuar sipas tij krizë të identitetit.

Sipas tij edhe stresi post-traumatik, sistemi i vlerave, faktori socio-ekonomik, depresioni, mungesa e integrimit dhe të tjera janë shkaqet më të shpeshta të vetëvrasjeve.

“Disa nga shkaqet e vetëvrasjes në shoqërinë kosovare mund t’i nënvizojmë: periudha e tranzicionit e cila ka shpërfaqur një krizë të vlerave dhe kjo pastaj ka prodhuar një krizë të identitetit, stresi post-traumatik i cili zakonisht ndodhë pas një periudhe 15-20 vjeçare tek ato shtete të cilat kanë pasur luftëra/konflikte, presioni në shoqëria, faktorë të tjerë janë edhe mungesa e përkrahjes sociale, kriza në sistemin e vlerave, faktorët socio-ekonomikë (papunësia e cila ka prodhuar një varfëri të lartë), stresi, depresioni, mungesa e integrimit shoqëror, bilancet vjetore, një faktorë tjetër i cili është shfaqur së fundi është edhe vetë interneti, sepse ekzistojnë faqe të cilat nuk monitorohen nga askush dhe të cilat sugjerojnë – japin instruksione se si të realizohen akte të tilla, pastaj faktorë individual si: përdorimi i drogave, por edhe faktorë të tjerë, të cilët mund të jenë faktorë kyc në shpërfaqjen e këtij fenomeni”, tha Kamberi për lajmi.net.

Në anën tjetër, studiuesja e psikologjisë, Fatime Rrahmani në një intervistë dhënë për lajmi.net ajo ka thënë se më së shpeshti janë çrregullimet mendore si stresi, depresioni, ankthi dhe të tjera që dërgojnë në vetëvrasje.

Rrahmani tutje ka përmendur edhe dimensionin social të ndikimit në mendimet për vetëvrasje të individëve. Por, bazuar në shoqërinë kosovare, Rrahmani ka potencuar se janë kushtet sociale ato që më tepër dërgojnë në vetëvrasje.

“Para se të shqyrtohet akti i vetëvrasjes si pasojë, sigurisht që për profesionistët e fushës janë të rëndësishme shkaqet potenciale që shtyejnë dikë të kryejë një akt të tillë. Ky akt fillimisht niset nga mendimet vetëvrasëse që për psikologët janë simptoma delikate dhe dykuptimëshe, për faktin që të menduarit për vetëvrasje, jo çdo herë dërgon në veprim të aktit. Përveç kësaj, mendimet vetëvrasëse janë shumë të zakonshme me simptoma të tjera që karakterizohen më së shumti çrregullimet e disponimit, të tilla si depresioni madhor dhe depresioni sezonal, ankthi, çrregullimi bipolar etj. Ndërkohë që ato bëhen më serioze kur veprojnë në komorbiditet – së bashku, me çrregullime më të rënda, si psikozat. Ndër psikozat më të shpeshta konsiderohet skizofrenia, e cila karakterizohet me shkëputjen ndaj realitetit, besime të rrejshme (deluzione) dhe halucionacione. Tutje, kur flasim për shkaqet e vetëvrasjes, pa dyshim që duhet të përmendim dimensionin social ku jeton individi, që ka shumë rëndësi për mirëqenien e përgjithshme por sidomos atë psikologjike. Përshtatja dhe ndjenja e përkatësisë në një grup të caktuar luan rolin kryesor në mirëmbajtjen e mirëqenies psikologjike dhe vetë-vlerësimit të individit. Sipas psikologëve, ndër këto ndjenja, ajo e pavlefshmërisë dhe pafuqishmërisë së një individi krijojnë mendimet për vetëvrasje, duke bashkëvepruar me ndjenjat e mos-përshtatjes, ku në ato raste që rritet intensiteti i tyre, dërgon deri në planifikim dhe kryerje të aktit të vetëvrasjes. Në kontekstin kosovar janë më evidente disa nga fenomenet negative sociale që ndikojnë negativisht në aspektin psikologjik ndër to janë papunësia, dhuna në dimensione të ndryshme, abuzimi me substanca narkotike etj. Të gjitha këto pa dyshim luajnë rol në shkaktimin e mendimeve dhe tentimeve për vetëvrasje”, tha Rrahmani për lajmi.net.

Sipas Rrahmanit, si fenomen kompleks dhe ende i pa studiuar plotësisht vetëvrasja ndikohet më së shumti nga faktorët socialë si dhuna në familje, dhuna seksuale, vdekja e një personi të dashur dhe tutje.

“Vetëvrasja është një fenomen kompleks (dhe ende nuk është kuptuar plotësisht), por mund të përcaktohet nga bashkëveprimi midis faktorëve të ndryshëm, të tilla si neurobiologjia, historia personale, ngjarjet stresuese, mjedisi social etj. Nisur nga kjo e fundit, vetëvrasja rezulton nga shumë faktorë social dhe ka më shumë gjasa të ndodhë gjatë situatave me kriza të tilla si socio-ekonomike, familjare dhe individuale (p.sh dhuna në familje, dhuna seksuale, vdekja e një personi të dashur, humbja e vendit të punës etj). Sidoqoftë, vetëvrasja mbetet një problem i rëndësishëm që godet shëndetin publik në përgjithësi dhe manifestohet si “epidemi e heshtur”.”, tha Rrahmani për lajmi.net.

Rrahmani ka përmendur edhe mënyrat e parandalimit të vetëvrasjeve ku sipas saj do të ishin këshillimi dhe ndihma nga ekspertët psiko-socialë.

“Përmes këtyre institucioneve qytetarët e të gjitha moshave, nga fëmijët dhe adoleshentët e deri te të moshuarit do të mund të merrnin ndihmën dhe shërbimet e përshtatshme per t’i parandaluar dhe trajtuar mendimet vetëvrasëse. Krahas kësaj, konsiderohet mjaft e nevojshme zhvillimi i një mendësie që nuk stigmatizon vizitat te psikologu, ndër to, nuk stigmatizon fshehjen dhe shtypjen e ndjenjave negative. Duke qenë se rastet më të shpeshta në vendin tonë janë mes të rinjsh është shumë e rëndësishme të punohet drejt minimizimit të shkaqeve dhe të punohet drejt një psiko-edukimi ku kërkimi i ndihmës profesionale do të jetë ndër opsionet e para kur të ballafaqohen me vështirësi të tilla”, tha Rrahmani për lajmi.net.

Duke parë rrezikun që po i kanoset shoqërisë kosovare nga vetëvrasjet, një grup të rinjësh që studiojnë psikologjinë kanë hapur një qendër të thirrjeve pa pagesë ku njerëzit me mendime të tilla mund të telefonojnë për t’u këshilluar.

Kjo qendër e thirrjeve funksionon vetëm 4 orë në ditë, nga ora 21:00 e mbrëmjes deri në ora 01:00 e mëngjesit.

OBSH e konsideron vetëvrasjen si një nga mënyrat e shpeshta të vdekjeve në botë dhe kështu shoqëria kosovare po përballet me këtë fenomen famëkeq më tepër se kurrë më parë.

http://mesazhi.com/vetevrasjet-po-behen-problem-serioz-i-shoqerise-kosovare/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here