Home Edukim OKB kërkon hetim për vdekjen e ish-presidentit të rrëzuar egjiptian, Morsi

OKB kërkon hetim për vdekjen e ish-presidentit të rrëzuar egjiptian, Morsi

23 views
0
SHARE

Një raport i ri inkurajoi OKB-në për të filluar një hetim të pavarur lidhur me vdekjen e Mohamed Morsit, presidentit të parë i zgjedhur në mënyrë demokratike në Egjipt, i cili u rrëzua në një grusht shteti ushtarak në vitin 2013 dhe ndërroi jetë në qershor të këtij viti në mes të një seance gjyqësore.

Raporti i publikuar të mërkurën dhe i përpiluar nga “Guerica 37” – Dhoma Ndërkombëtare e Drejtësisë në Londër (pjesë e Grupit Guernica, ekip i përzier i avokatëve të përbërë nga Britania e Madhe, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës), me kërkesë të familjes Morsi dhe Këshillit Revolucionar Egjiptian “shqyrtoi rrethanat rreth arrestimit, gjykimit dhe vdekjes së mëparshme të ish- presidentit në paraburgim”.

Ajo nxit për një hetim të pavarur të udhëhequr nga OKB-ja për vdekjen e Morsit e cila “mori një hov të mëtejshëm më 9 nëntor 2019, nga Raportuesi Special i OKB-së për ekzekutime jashtëgjyqësore dhe Grupi i Punës i OKB-së mbi paraburgimin, duke kërkuar një hetim më efektiv të pavarur dhe të paanshëm për vdekjen e paligjshme të Dr. Morsi dhe të gjithë të burgosurve të tjerë që kishin vdekur në paraburgim që nga viti 2012”.

Toby Cadman, bashkëthemelues dhe drejtues i “Guernica 37”, tha se Agnes Callamard, raportueses së posaçme të OKB-së për ekzekutimet jashtëgjyqësore, i është dërguar një kopje e raportit dhe ai do ta takojë atë brenda dy javëve të ardhshme për të diskutuar të gjitha hapat që OKB-ja mund të ndërmarrë.

– Mungesa e kujdesit të duhur mjekësor është torturë

Duke folur për Anadolu Agency (AA) në nisjen e raportit, Cadman tha se Callamard “deklaroi shumë qartë se duket se ka elemente të vdekjes së Dr. Morsit që tregojnë për përfshirjen e shtetit dhe nëse ka përfshirje të shtetit, nëse është një vrasje e sanksionuar nga shteti, sigurisht se duhet të ketë një hetim penal”.

Cadman hodhi poshtë kushtet dhe rrethanat në të cilat Morsi ishte mbajtur brenda, duke thënë se një numër i kushteve mjekësore para-ekzistuese kishin bërë që Morsi të futet në gjendje kome diabeti edhe kur “ne kishim kërkuar nga Këshilli Revolucionar Egjiptian dy vjet më parë që të paralajmërojë OKB-në për këtë”.

“Ai po humbiste shikimin në njërin sy dhe jeta e tij ishte në rrezik”, tha ai.

Cadman tha se autoritetet egjiptiane nuk ndërmorën asnjë hap për ta korrigjuar këtë dhe madje refuzuan një kontroll të pavarur mjekësor nga një mjek i paanshëm.

Nëse autoritetet nuk ndërmarrin asnjë veprim kur gjendja shëndetësore e një personi përkeqësohet përderisa ndodhet në burg “autoritetet janë përgjegjëse për vdekjen”, tha ai. “Nëse pengoni trajtimin e nevojshëm nga dikush që kërkon trajtim mjekësor, sipas ligjit ndërkombëtar, kjo paraqet torturë”.

Morsi “jo vetëm që u vra nga shteti egjiptian, por ajo që u bë ndaj tij ishte torturë”, shtoi Cadman.

Cadman gjithashtu tha se e kishte shumë të vështirë të besonte se vdekja e djalit të Morsit, Abdullah në shtator, ishte rezultat i një sulmi në zemër, siç pretendohet nga shteti egjiptian.

Cadman tha se kishte biseduar me Morsin e ri dy javë para vdekjes së tij dhe ai kurrë nuk u ankua për çështje shëndetësore, por tha se ai kishte frikë për sigurinë e tij sepse e kishte akuzuar Ministrinë e Brendshme të Egjiptit për vdekjen e babait të tij.

– Ish-presidenti flinte në dyshemenë prej betoni

Duke përshkruar kushtet e Morsit derisa ishte në burg, Maha Azzam, kreu i Këshillit Revolucionar Egjiptian, tha se ish-presidentit iu mohuan të gjitha të drejtat sipas ligjit ndërkombëtar dhe statutit të OKB-së.

Azzam për AA tha se Morsi ishte vënë nën “presion psikologjik” dhe “torturë” sipas konventave ndërkombëtare.

“Ai u mbajt në vetmi dhe iu mohuan të drejtat themelore siç janë vizitat nga familja e tij. Atij iu mohua më e rëndësishmja, ilaçet kundër diabetit. Ai fjeti në dysheme prej betoni pa asnjë shtrat ose batanije”, tha ajo.

Ai iu nënshtrua “torturës sistematike” në duart e forcave të sigurisë së regjimit egjiptian, shtoi Azzam.

“Ne i bëjmë thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së (Antonio Guterres) dhe Callamard që të marrin shumë seriozisht vdekjen e një presidenti të zgjedhur përmes zgjedhjeve të ndershme dhe të lira”, tha Azzam.

“Ata po e injorojnë këtë fakt dhe nuk e ndjekin atë plotësisht në drejtim të një hetimi të pavarur dhe i dërgojnë mesazh gjeneralit (Abdel Fattah) Sisi dhe regjimit egjiptian se ata realisht mund të mosndëshkohen për të gjithë popullin egjiptian prej 100 milionë dhe veçanërisht për më shumë se 60 mijë të burgosurve politikë sot në burgjet e Egjiptit, të burgosur politikë që vuajnë tani në burgje drejt një vdekje të ngadaltë”.

“Ne i dimë emrat e këtyre njerëzve, shumë prej tyre janë gjithashtu gra që vdesin për shkak të neglizhencës mjekësore dhe për shkak të kushteve shumë të rënda johumane”.

– Hapi i parë për hetim

Anas Altikriti, kreu i Fondacionit Cordoba, një grup me seli në Britani të Madhe që punon për arritjen e mirëkuptimit midis Botës Muslimane dhe Perëndimit, e quajti raportin e ri “hapin e parë” drejt një hetimi ndërkombëtar për rrethanat e vdekjes së Morsit.

Duke folur për AA, Altikriti tha se “ajo që ndodhi ishte një fatkeqësi në çdo aspekt që mund të imagjinohet”.

“Për vite me radhë, një president i zgjedhur në mënyrë demokratike mbeti në burg nën autoritetin e një diktature të një regjimi të grusht shtetit, të një regjimi ushtarak, jo-demokratik”, tha ai.

“Të drejtat e tij njerëzore u abuzuan çdo ditë dhe sipas të gjitha llogarive ai u vra në mënyrë efektive”, shtoi ai.

Altikriti nënvizoi se shpresonte që raporti të “hapte kutinë” për një seri hetimesh jo vetëm për vdekjen e Morsit, por edhe për rrethanat e dhjetëra mijëra të tjerëve që ende mbahen në burgjet e Egjiptit.

“OKB-ja mbetet një instrument shumë i rëndësishëm që të paktën të rrit presionin ndaj regjimeve të brishta, të dobëta dhe shpesh patetike, siç është ai që kemi në Kajro. Dhe, gjëja më e rëndësishme është se bota duhet të dëshmojë faktin se krimet si këto kurrë nuk përfundojnë pa llogari”.

Morsi, një nga anëtarët kryesor të Vëllazërisë Muslimane në Egjipt, fitoi zgjedhjet e para të lira dhe demokratike për president në Egjipt në vitin 2012.

Pas vetëm një viti në detyrë, ai u rrëzua dhe u burgos në një grusht shteti ushtarak të udhëhequr nga ministri i atëhershëm i Mbrojtjes dhe presidenti aktual, Abdel-Fattah al-Sisi.

Në kohën e vdekjes së tij në qershor, Morsi u përball me një mori akuzash ligjore, të cilat ai, së bashku me grupe të shumta për të drejtat e njeriut dhe vëzhgues të pavarur, thanë se ishin të motivuara politikisht.

OKB kërkon hetim për vdekjen e ish-presidentit të rrëzuar egjiptian, Morsi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here