Home Këshilla Motër, mos u mërzit… ti je e lumtur

Motër, mos u mërzit… ti je e lumtur

0 views
0
SHARE

Mos u mërzit sepse të gjitha këto janë shenja të lumturisë tënde dhe jo të mjerimit tënd, ashtu siç e kuptojnë injorantët, ata të cilët moralin e tyre e shikojnë në gjërat e shfrenuara.

Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe përshëndetja qoftë mbi të Dërguarin e fundit, mbi atë që Allahu e dërgoi mëshirë për mbarë njerëzimin, Muhamedin birin e Abdullahut, dhe mbi pasuesit e tij në përgjithësi.

Nëse i hedhim një vështrim gjendjes së sotme të muslimanëve, shohim se shumë prej tyre janë kapur pas kësaj bote duke e harruar ahiretin, edhe pse e dinë se kjo botë është vetëm lojë, kurse bota tjetër, ahireti, është qëllimi i çdo muslimani, ngase është vend i përjetshëm, lumturi e vërtetë dhe e pafund.

Kjo është jeta që njerëzit e kalojnë në kënaqësi, në gjëra të padobishme, duke u zhytur në dyshime derisa të bien në harame. “E pa dyshim se ai që ka rënë në dyshime, ka rënë në harame.” (Buhariu dhe Muslimi) Allahu i Madhëruar gjendjen e kësaj bote e ka përshkruar në librin e Tij me fjalët: E ti (Muhamed) paraqitja atyre shembullin e kësaj bote, që është si një ujë (shi) që Ne e lëshojmë nga qielli, e prej tij bima e tokës zhvillohet e shpeshtohet saqë përzihet mes vete, e pas pak ajo bëhet byk (pas tharjes), që e shpërndajnë erërat. Allahu ka fuqi për çdo send.” El Kehf: 45

Në komentin e kësaj sureje, Allahu i thotë të Dërguarit të Tij sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe çdo pasuesi të tij që të marrë shembull për njerëzit jetën e kësaj bote, që të imagjinojnë botën e vërtetë, të mësojnë të fshehtat dhe të qartat e saj e të bëjnë dallim pastaj mes kësaj bote dhe asaj të pafundmes, duke u ndikuar nga ajo që është më e mira. Pra, shembulli i kësaj bote është si shembulli i ujit, i cili bie në tokë dhe përzihet me gjelbërimin e saj e prej saj dalin barishte të shumta, lule të bukura që kënaqin syrin, gëzojnë të hidhëruarit, shpresëdhënëse për të dëshpëruarit. Kështu pra është kjo botë që përfiton zemra, duke i bërë shumë zemra të largohen nga rruga e drejtë dhe të vrapojnë pas dinarit dhe dërhemit, duke pretenduar se do të mbeten për një kohë të gjatë në këtë gjendje dhe në të mirat e saj.

Por, papritur, ndodh diçka që ia prish gjithë këto kënaqësi: pasuria humb, kënaqësia largohet, zemra e njeriut lëndohet ngase ka lënë pas rininë, forcën dhe pasurinë, duke mbetur i vetmuar me veprat e mira apo të këqija. Atje padrejtësia del në shesh, kuptohet realiteti i çdo gjëje. Ah, sa shpresojnë të kthehen në këtë botë, jo për të kënaqur epshet dhe dëshirat e mbetura, por për t’i shfrytëzuar ato çaste për vepra të mira duke u penduar.

I mençuri ia paraqet vetes këto gjendje dhe e mendon veten si të vdekur, kur dihet se nuk ka dyshim që do të vdesë. Pra, cilën nga dy gjendjet do të dëshiroje: të kënaqesh me bukuritë dhe kënaqësitë e kësaj bote apo me bukuritë e shumta të botës tjetër, ku të kënaqen sytë dhe të qetësohet shpirti?

Përmes saj muslimani e sheh veten nëse është nga të nënçmuarit apo nga triumfuesit.

Ky është realiteti i kësaj bote dhe frymëmarrja në të, por dije se ke për t’u takuar me Allahun dhe do të japësh llogari para Tij për atë që ke përgatitur.

Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nuk do të përqendrohen këmbët e robit derisa të japë llogari për katër gjëra; për vitet si i ka kaluar, për trupin si e ka mbushur, për diturinë si e ka praktikuar dhe për pasurinë si e ka fituar dhe ku e ka harxhuar.” (Muslimi)

O Zot, çfarë vendqëndrimi dhe çfarë pyetjesh! Mjerë pasuesit e epsheve dhe shkatërruesit! U lumtë respektuesve të urdhrave të Allahut dhe durimtarëve, të cilëve u takojnë fjalë miradije. U lumtë!

Lumturia e të devotshmëve dhe mjerimi i keqbërësve

Motër muslimane e dëlirtë, dije se të devotshmet, të nënshtruarat ndaj Allahut të Madhëruar janë në lumturi të vërtetë. Këtë lumturi e shijojnë vetëm ato që e kanë përjetuar dhe pa dyshim që ajo është një lumturi larg brengave, edhe nëse besimtares i ndodhin gjëra që nga njerëzit njihen si gjëra që prishin lumturinë, si: fatkeqësi, sëmundje apo humbje të një njeriu të afërm, pakësim të pasurisë ose tortura nga njerëz të poshtër që shpifin kundër tyre. Këto nuk janë shenja lumturie, por sprova me të cilat i sprovon Allahu robërit e Tij besimtarë, robërit e tij durimtarë, që t’i ngrejë në shkalla të larta, që t’i pastrojë nga mëkatet, Allahu në Kur’an thotë: Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta e edhe nga frytet, po ti jepu myzhde durimtarëve.” El Bekare: 155

Dijetari Abdurrahman Es Sa’di, Allahu e mëshiroftë, në tefsirin e këtij ajeti thotë: “Allahu na tregoi se patjetër duhet t’i sprovojë robërit e Vet, që të dallohet i sinqerti nga gënjeshtari, euforiku nga durimtari, kjo është rrjedha e jetës që ka caktuar Allahu…”

Pra, e nderuara motër durimtare, mos u mërzit sepse të gjitha këto janë shenja të lumturisë tënde dhe jo të mjerimit tënd, ashtu siç e kuptojnë injorantët, ata të cilët moralin e tyre e shikojnë në gjërat e shfrenuara.

Qëndro e patundur dhe dije se njeriu jep llogari për veprimet e tij, prandaj nuk kanë përse të gëzohen të shfrenuarit, ngase Allahu do t’i marrë në llogari patjetër: “Pasha Zotin tënd, ata të gjithë do t’i marrim në përgjegjësi, për atë që vepruan.” El Hixhr: 92-93

Përgëzimi vjen edhe nga Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Çudi është gjendja e muslimanit, e gjitha është për të mirë, e kjo nuk i takon tjetërkujt pos besimtarit. Nëse përgëzohet me diçka të mirë, e falënderon Allahun për të, por nëse e godet fatkeqësia, bën durim dhe pa dyshim se është mirë për të.” (Muslimi)

Besimi, bindja, kujdesi, përforcimi në fenë e Allahut është mirësi nga Allahu. Të gjitha këto janë argumente dhe shenja të qarta se Allahu e do atë rob. Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Allahu ka ndarë mes jush moralin dhe pasurinë. Allahu pasurinë ia jep atij që e do dhe atij që nuk e do, ndërsa imanin (besimin) ia jep vetëm atij që e do.”  (*Hakimi në “El Mustedrek”)

Hadith shumë madhor, a ke medituar ndonjëherë për të?

Durimi në fatkeqësi

Durimi është gjë madhore pa dyshim dhe durimtari është një person me morale të larta. Allahu i ka lavdëruar në Kur’an durimtarët duke treguar mirësitë dhe përfundimin e mirë për ta. Allahu thotë: “…dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës, të tillët janë ata të sinqertët dhe të tillët janë ata të devotshmit.” El Bekare: 177

Allahu i cilësoi me cilësitë më të mira, me sinqeritet dhe devotshmëri. Ah, sa cilësim i mirë është ai! Është mirësi dhe virtyt i besimtareve që të arrijnë kënaqësinë e Allahut.

Allahu na lajmëroi se durimi i sjell vetëm të mira besimtarit. Allahu në Kur’an thotë: “Nëse duroni, pa dyshim ai është më i mirë për ata që durojnë.” En Nahl: 126

Allahu në Kur’an premtoi shpërblim të madh për veprën e bërë: “E Ne do t’ua japim atyre që ishin të durueshëm shpërblimin më të mirë të asaj që vepruan.” En Nahl: 96

“Ndërsa të durueshmëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë!” Ez Zumer: 10

U erdhi përgëzimi nga Allahu, i Cili në Kur’an thotë: “Përgëzoji durimtarët.” El Bekare: 155

Allahu na tregoi se shpërblimi për ta është xhenneti: “Dhe për shkak se ata duruan, i shpërbleu me xhennet dhe me petka mëndafshi.” El Insan: 12

Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Thotë Allahu i Madhëruar: “E ata të cilët luftuan për hir Tonin, Ne me siguri do t’i orientojmë rrugës për te Ne.” El Ankebut: 69, d.m.th. Allahu e bëri lidhjen mes udhëzimit dhe mundit apo luftës. Pra, njerëzit që kanë udhëzim më të mirë janë ata që luftojnë dhe ata që mundohen më shumë.

Mundi apo xhihadi më i madh është ai me veten, epshet, shejtanin dhe botën, pra kush i lufton dhe i mund këto të katërta, Allahu do ta udhëzojë për tek Ai, ngase rruga për tek Allahu është ajo që Allahu e do dhe që të shpie për në xhenet.

Thënie të të parëve tanë të mirë për durimin

Ibën Ebi Dunja transmeton: “Ibrahim ibën Davudi ka treguar se disa njerëz të urtë kanë thënë: “Ka disa robër të Allahut që fatkeqësitë i presin me përgëzime”, pastaj tha: “Ata janë ata të cilët i pastruan zemrat e tyre nga kjo botë.” E pastaj tha: “Ka thënë Vehb ibën Munebih se ka gjetur në Zeburin e Davudit të thuhet se Allahu ka thënë: “O Davud, a e di se cilët njerëz janë më të shpejtët në Urën e Siratit? Janë ata që kënaqen me caktimin Tim dhe ata të cilët gjuhët e tyre i kanë të lagura me përmendjen Time.”

AbdulAziz ibën ebi Davudi thotë: “Tri fshehje janë nga margaritarët e xhenetit: fshehja e fatkeqësisë, fshehja e sëmundjes dhe fshehja e lëmoshës.”

Disa nga të parët tanë të mirë kanë thënë: “Me tri gjëra testohen njerëzit; me pasuri të madhe, me fatkeqësi dhe me udhëheqje.”

Muhamed ibën Abdullah el Herevij thoshte: “Margaritari më i çmuar është fshehja e fatkeqësisë, aq sa të tjerët të mendojnë se nuk je sprovuar dhe nuk ke pasur fatkeqësi asnjëherë.”

Avn ibën Abdullahu thotë: “E mira që nuk ka asnjë të keqe është falënderimi në qetësi dhe durimi në fatkeqësi.”

Mejmun ibën Mehrani thotë: “Durimi ka dy shkallë; durimi në fatkeqësi është i mirë, po më i mirë është durimi ndaj mëkateve.”

Umer ibën Hatabi thotë: “Jetën më të mirë e gjetëm në durim.”

Ali ibën Ebi Talibi thotë: “Durimi përballë besimit është si koka në trupin e njeriut, nëse i largohet koka, trupi bie.” Pastaj e ngriti zërin duke thënë: “Nuk ka besim ai që nuk ka durim.”

Hasan el Basri thotë: “Durimi është margaritar i të mirave dhe Allahu ia jep këtë vetëm robit që është i respektuar tek Ai.”

Motër e nderuar, duro në respektimin e Allahut

Motër e nderuar, ti që u kënaqe me Allahun për Zot, me Islamin për fenë tënde, me Muhamedin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem për të Dërguar, bëhu durimtare me moral të lartë në kohën kur mungon ai, ngase lumturia është në respektimin e Allahut, në dashurinë për Të dhe të Dërguarin e Tij.

E nderuar, mos shiko kënaqësitë shtazarake, zhveshjen e skajshme dhe shfrenimet djallëzore, ngase tek ato gjendet mjerimi i kësaj bote dhe i botës tjetër.

Ti, për Zotin, je në lumturinë që ta kanë zili të gjithë, ngase po respekton Allahun, Krijuesin tënd, po merr shembull jetën e të Dërguarit dhe praktikën e tij të Islamit e me këto pa dyshim se te ti mbillet dashuria, lumturia dhe kënaqësia shpirtërore.

Allahu në Kur’an thotë: “Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.” En Nahl: 97

Jeta e mirë pa dyshim është ajo në të cilën respektohen plotësisht urdhrat e Allahut. Kjo është jeta e lumtur që Allahu kërkon nga ti, motër e nderuar.

Përmblodhi dhe përshtati: Unejs Murati

Dëlirje & Edukim nr:18/35

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here