Home Edukim “Lufta” për Ligjin e Pagave, paralajmërohen pasoja

“Lufta” për Ligjin e Pagave, paralajmërohen pasoja

34 views
0
SHARE

Të pakënaqur me Ligjin e ri për Pagat i cili hyri në fuqi me 1 dhjetor të këtij viti kanë dalur shumë sindikata të punëtorëve në vend.

Sindikata e Korporatës Energjetike e Kosovës, Sindikata e punëtorëve në Shërbimin Korrektues, kontrollorët e trafikut ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë në Kosovë (KOSTT) e të tjera, janë shprehur se janë kundër hyrjes në fuqi të këtij ligji, për shkak të uljes së koeficientit, rrjedhimisht ulje të pagave.

Në anën tjetër, Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës, Federatë së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës-FSSHK si dhe Sindikatës së Policisë së Kosovës-SPK kanë paralajmëruar pasoja të mëdha nëse dhjetori nuk i sjell atyre pagat me rritje, sipas ligjit të ri.

Lajmi.net në qershor të këtij viti kishte raportuar se ky ligj mund të shkojë në Gjykatën Kushtetuese. E një vendim të tillë e ka marrë sot Institucioni i Avokatit të Popullit.

Ky institucion e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese këtë projektligj.

Avokati i Popullit konsideron se Ligji për Pagat në Sektorin Publik dhe Shtojca një e këtij ligji nuk kanë arritur ta bartnin frymën kushtetuese në kuptimin e ndarjes së pushteteve, të barazisë para ligjit dhe as garantimin e së drejtës pronësore.

Për më shumë, Avokati i Popullit konsideron se ky ligj nuk është në pajtim me parimet e sundimit të ligjit, për shkak të mangësive në kuptimin e qartësisë, saktësisë dhe parashikueshmërisë së tij.

Ndërsa, deri me tani në adrës të Avokatit të Popullit kanë shkuar 35 ankesa në mesin e tyre edhe ankesa nga të punësuarit në shëndetësi, në arsim dhe në polici.

Pas vendimit të Avokatit të Popullit, Kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj ka thënë për lajmi.net se së bashku me Këshillin Drejtues do të vendosin se si do të veprojnë për këtë rast.

Por, ai është i sigurt se do të ketë reagime nga ana e punëtorëve të arsimit.

“Me siguri edhe anëtarësia është informuar përmes mediave për vendimin që paka marr Avokati i popullit. Edhe pse paradite ka deklaruar se nuk është i qartë a do ta dërgojë në Kushtetuese a po jo. Unë po them tash po presim reagimet nga shoqatat sindikale, nga punëtoret e arsimit dhe do ta thërrasim Këshillin Drejtues që është organi me i lartë dhe pastaj bashkërisht do ta analizojmë situatën dhe pastaj çfarëdo vendimi që ta merr Këshilli Drejtues unë do ta zbatojë sepse këtë e kam obligim. Nuk mund të deklarojë çfarë reagimesh do të këtë e tëra varet nga Këshilli Drejtues, por unë po them se nga ajo që jam takuar me punëtorët e arsimit, kam drojë që reagime do të këtë”, ka thënë Jasharaj.

Në anën tjetër, Nexhat Llumnica nga Sindikata e punëtorëve të KEK-ut, ka thënë për lajmi.net se në rast së do të ketë ulje në pagat e tyre sipas ligjit të ri ata do të hyjnë në grevë.

“Avokati i Popullit na ka thënë se ne momentin që të hyjë në fuqi ky ligj do të dërgohet ne Gjykatën Kushtetuese, dhe kanë me u shqyrtu ato mangësitë ligjore që janë laju në këtë ligj. Ne jemi duke e pritur Bordin e KEK-ut me na dhënë një informatë se a janë zbritur pagat e punëtorëve të KEK-ut dhe ne rast se një gjë e tillë ka ndodh ne do të hyjmë në greve. Deri më sot nuk na kanë lajmëruar një gjë të tillë se ka me pas një zbritje dhe ne jemi duke e pritur këtë”, ka thënë Llumnica.

Ndërsa, Përfaqësues të Sindikatës së Shërbimit Civil në Kosovë i kanë thënë lajmi.net se tani ndryshimet mund të bëhen me amendamente që mund t’i bashkëngjiten ligjit

Kryetar i Sindikatës së Shërbimit Civil në Kosovë, Mursel Zymberi, ka thënë se rishikimi i këtij ligji është kërkuar edhe më parë, megjithëse tani ka pak mundësi të bëhen përmirësime përmes amendamenteve.

“Ne kemi biseduar edhe me sindikata tjera lidhur për këtë ligj dhe kemi ardhur në përfundimin se ky ligj është mirë që ka hy në fuqi dhe duhet të zbatohet për faktin është e mundur që këto gabime dhe lëshime që kanë ndodhur në këtë ligj të evidentohen në amandementimin e ligjit, derisa mos amandementimi i këtij ligji mundet me pas pasoja shumë të renda për krejt vendin në përgjithësi edhe sektorët tjerë, andaj në pikat e caktuara aty ku i kemi vërejtjet ne mendojmë se këto vërejtje mund të përmirësohen përmes amendamentit të ligjit”, ka thënë Zymberi.

Ai ka thënë se kanë biseduar me kryetarin aktual të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin si dhe me Grupet Parlamentare dhe ju kanë premtuar se përmes amandamentimit do të behën përmirësime në këtë ligj.

“Me kryetarin e Kuvendit Kadri Veselin kam biseduar edhe me Grupet Parlamentare dhe ky ligj edhe në të ardhmen më formimin e Kuvendit të ri me paraqitjen e vërejtjeve dhe me pëlqimin e Grupeve Parakombëtare, ky mund të amandementohet sepse edhe ata e kanë parë vet se në Parlament ka qenë një nguti e madhe kur është votuar edhe nuk e kanë studiuar në përpikmeri se cilët sektor kanë mundur të dëmtohen ose të mbesin mbrapa me sektorët tjerë, sepse në parim është pagesa e njëjtë për punën e njëjtë, këtu është shkel ky parim. Por, tash në tërësi mund të them se një 30 për qind e shërbyeseve civil e ndjejnë vetën me komod me këtë ligj, derisa pjesa tjetër re zyrtarëve kanë vërejtje sepse në sektorët e tjera ka dallime të mëdha. Por që edhe Veseli edhe grupet e tjera parlamentare na kanë premtuar që ka mundësi të amandamentohet ky ligj edhe në pikat të caktuara të përmirësohet sa i përket sektorit të shërbimit civil”, ka thënë Zymberi.

Ligji i pagave është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 2 shkurt, kurse në zyrën e Presidentit kishte arritur më 12 shkurt.

Sipas udhëheqësve të institucioneve të shtetit, në bazë të këtij ligji janë rritur pagat për 70 për qind të punonjësve në sektorin publik.

http://mesazhi.com/lufta-per-ligjin-e-pagave-paralajmerohen-pasoja/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here