Home Edukim Hasani: S’ka afat për nisjen e konsultimeve Thaçi-Kurti, është proces politik

Hasani: S’ka afat për nisjen e konsultimeve Thaçi-Kurti, është proces politik

20 views
0
SHARE

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka sqaruar situatën e krijuar së fundmi pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës, dhe thirrjes që i ka bërë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pretendentit për kryeministër Albin Kurti.

Dy ftesa që Thaçi ia bëri dje Kurtit, ky i fundit ia ka refuzuar. Ndonëse, u raportua në mënyra të ndryshme, Hasani për KTV-në sqaron se ajo do të ishte thjesht ftesë për konsultim me pretendentin për mandatar të Qeverisë, e që më pas, do të rrjedhnin procedurat për t’u mandatuar.

Hasani thotë se nuk ka afat se kur do të nisin konsultat mes Thaçit e Kurtit, pasi sqaron se është një proces politik që nuk zgjidhet me Kushtetutë e me ligje.

“Ajo që është në kushtetutë dhe në aktgjykimin që ka interpretuar nenin 34 pika 13 dhe nenin 85 të kushtetutës së Kosovës është se presidenti, herën e parë, nuk ka nevojë të bëjë konsultime me askënd tjetër veçse me atë që ka dalë fitues i zgjedhjeve. Që do të thotë, me këtë aktgjykim, problematikë është në aspektin legal dhe kushtetues, sa është ky konsultim, kjo mënyrë komunikimi, është çështje do të thotë politike”, tha Hasani.

Hasani, tutje sqaron se nuk është e përcaktuar, në vendimin që ka interpretuar nenet e tilla, dhe se në Kushtetutë kanë interpretuar disa koncepte si çka është koalicion, çka është fitues absolut dhe relative, dhe çka nënkuptohet propozim për ta dërguar në Kuvend, gjithashtu mandatim, konceptet bazike dhe të cilat zbatohen në mënyrë kumulative.

“Është e përcaktuar në paragrafin 81 të aktgjykimit, të gjitha ato duhet me i pa në mënyrë komulative, qysh duhet me e pa edhe aktgjykimin që i ka interpretu nenet që i thash. Aktgjykimi vetëm ka thënë që nuk përjashtohet mundësia që kandidati ta refuzoj mandatimin, por do me thënë, nëse kjo është refuzim nuk e di, por me aktgjykim është parapa mundësia që fituesi i zgjedhjeve të refuzoj ta marr mandatin. Por ai atë duhet ta bëjë në mënyrë shprehimore, me shkrim, e jo me gjeste tjera”, sqaron Hasani.

Hasani, njohës i Kushtetutës së Kosovës, shpjegon dhe njëherë se s’ka afat se kur duhet të takohen Thaçi e Kurti, e madje, ftesa e djeshme ishte veç për konsultë.

“Nuk ka ndonjë afat kur duhet të takohen ose kur të nisin konsultimet. Ftesa që është bërë, për aq sa kam parë, ajo ftesë është për nisjen e konsultimeve, tash përgjigja nga pala tjetër, fitues i zgjedhjeve, se kur e dërgojnë ata emrin si forcë fituese është çështje që nuk ka ndonjë afat të përcaktuar. Ato janë procese politike që nuk zgjidhen me kushtetutë dhe ligje”, thotë Hasani.

Ai thotë se ato janë procese politike, dhe nuk mund të gjejnë përgjigje në tërësinë e tyre në normat kushtetuese dhe normat juridike.

“Ajo çka është thënë në kushtetutë dhe aktgjykim, është që duhet konsultimet të zhvillohen me të parin, dhe dekretin me të cilin emërohet mandatari i kërkohet të njëjtit që ta bëjë kabinetin dhe të gjejë shumicën e domosdoshme, që i bie 50+1”, tha ai.

Mirëpo, shton Hasani, “ne e kemi thënë në paragrafin 85, në mënyrë shprehimore, që çka është shumicë 50+1, se si fitohen ato, atë e dikton kuvendi”.

“Presidenti nuk mund ta diktoj siç thuhet në mënyrë tërësisht naive, me nënshkrime, t’i dërgohen nënshkrimet e kështu me radhë, sepse ne kemi thënë në paragrafin 85, se votat e nevojshme për formim të qeverisë fitohen dhe testohen vetëm në Kuvend, e asnjëherë jashtë tij. Sepse presidenti nuk është pushtet. Presidenti kujdeset për balancimin dhe ruajtjen e pushteteve dhe institucioneve, por nuk është pjesë e tyre. Nuk ka ndërhyrje nga ana e tij për vlerësime politike. Nuk është në natyrën e funksionit të tij”, tha Hasani.

Ish-kryetari i Kushtetueses, i ka quajtur naive deklaratat se partia fituese, në këtë rast Vetëvendosja, kur ta dërgojë tek presidenti emrin e mandatarit, duhet t’ia mbështesë edhe një listë shtesë me emrat dhe mbiemrat e 61 deputetëve që do ta votojnë qeverinë e ardhshme.

“Ajo është tërësisht naive, sepse presidenti në rastin e parë s’ka fare diskrecion që do të thotë, edhe ne e kemi thënë në paragrafin 85 të aktgjykimit, në mënyrë jashtëzakonisht të qartë, që shumica e votave të domosdoshme për votim të qeverisë, përcaktohet nga kuvendi. Jo nga presidenti i republikës”, tha ai.

Ndërkaq, shton Hasani, në rastin e dytë, “ne e kemi lënë në diskrecion, por mendoj se diskrecioni është arbitraritet”.

“Diskrecioni nënkupton me ju përmbajt kritereve tërësisht juridike që lidhen me fizionominë kushtetuese të presidentit të Republikës, në një sistem siç është demokraci kushtetuese parlamentare. Që do të thotë, prapë ai duhet t’i shikojë në mënyrë kumulative kriteret nga paragrafi 81 i aktgjykimit të cilat në tërësinë e tyre duhet me u plotësua e ajo është fjala që e thotë konsultimet me partitë politike ose partinë politike që kanë kaluar pragun. Dhe këtu nënkupton të gjitha partitë, në mënyrë kumulative, nuk mund ta përjashtojë asnjërën, përfshirë edhe partinë e parë nga dialogimi, konsultimi. Sepse nuk ka kritere mbizotëruese tjera, veçse juridike. Nëse presidenti bon kritere mbizotëruese, siç kem kërkuar ne në aktgjykim, që kanë karakter politik, atëherë ai (nuk kuptohet..) dhe merr anë, që është jo kushtetuese”, thotë Hasani, duke shtuar se “ajo çka unë shoh, është një ftesë për të nisë, siç e urdhëron aktgjykimi dhe kushtetuta”.

“Duhet ta thërras vetëm partinë, që ka dalë e para, ka fituar më së shumti në zgjedhje. Dhe ky quhet fitues relative, e kemi saktësuar në aktgjykim. Tash se si do të zhvillohen dinamikat e me radhë, është problematike, sepse është çështje politike, sepse dekretin për emërim të z.Kurti, ose nëse partia e dërgon dikë tjetër, ajo është tjetër çështje, prapë politike, por në dekret, presidenti i thotë mandatarit, gjeje shumicën e nevojshme për formim të qeverisë dhe kaq. Më tej nuk guxon presidenti me fol, as herën e parë as të dytë as të tretë, sepse ajo testohet në kuvend. Ajo me lista, nënshkrime, ajo është marrëzi juridike e gjithë ata që thonë”, thotë Hasani.

Në fund, Hasani shton se “në sistemin zgjedhor të Kosovës, çdo prishje e balanceve që dalin nga zgjedhjet, dhe prishje e balanceve të fituesit, në sistemin zgjedhor të Kosovës ku vota e 100 deputetëve ajo që e përcakton fuqinë politike, është prishje e parametrave kushtetues për formimin e organeve qendrore pas zgjedhjeve”.

http://mesazhi.com/hasani-ska-afat-per-nisjen-e-konsultimeve-thaci-kurti-eshte-proces-politik/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here