Home Edukim Haradinaj: Liberalizimi në pranverë, shtyrjes i kontribuoi edhe vonesa e formimit të...

Haradinaj: Liberalizimi në pranverë, shtyrjes i kontribuoi edhe vonesa e formimit të institucioneve

15 views
0
SHARE

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj ka thënë se vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të ndodhë vetëm në pranverë të vitit të ardhshëm dhe jo këtë vit siç kishte paralajmëruar.

Haradinaj në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se u ka dërguar shkresë të gjitha vendeve  të BE-së që janë vendimmarrëse, ku ka kërkuar që të hiqen vizat për kosovarët, tashmë nuk shpreson se një vendim mund të merret këtë vit.

Ai ka thënë se shtyrjes së datës për liberalizim i ka kontribuar edhe Vetëvendosja dhe LDK-ja të cilat po i zvarritin procesin e ndërtimit të institucioneve të reja të dala pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Jemi më skeptik tash. Është zor me ndodh sepse po shihet që jemi afër Krishtlindjeve. Jam interesuar për kalendarin e Këshillit të Evropës dhe besoj që gjasat e ardhshme i kemi në fund të shkurtit, fillim të marsit, që me hy në rend dite. Unë kam vazhduar komunikimin me palët dhe ju kam bërë shkresa të gjitha shteteve vendimmarrëse të BE-së për këtë temë që është një padrejtësi. Mund të ketë ndikuar në shtyrje pak edhe vonesa në formim të institucioneve, që disi po na zbehin fuqinë tonë, pasi që kemi mbajt zgjedhje por nuk po e japim lajmin e duhur për institucionet e reja. Dhe besoj që kjo na ka krijuar problem”, ka thënë ai për EO.

Megjithatë Haradinaj ka thënë se qeveria ka kryer të gjitha obligimet dhe se vonesat po bëhen pa ndonjë arsye.

Mendon se vendimi është politik, teksa ka falënderuar Gjermaninë dhe kancelaren Merkel për përpjekjet e vazhdueshme që kosovarët të lëvizin të lirë në zonën shengen.

“Nuk do të shkon në pakufi. Edi që njerëzit po kërkojnë por ne si qeveri e kemi bërë punën tonë. Ne i kemi fituar vizat, pro ne s’po mund të vendosim për evropianët. Ata po mendojnë që mund të na vonojnë dhe po na vonojnë. Por nuk kemi ne faj. Nuk mund të thotë as Gjermania, Franca e Holanda që qeveria e Kosovës po i vonon vizat. Ne realisht gaditun po i rrimë, por ata më të ngadalshëm. Nuk na kanë thënë jo, për këtë e falënderoj Gjermaninë dhe kancelaren Merkel dhe ministrin e jashtëm për këtë temë. Pres që në pranverë të kryhet. Është e padrejtë që është vonuar kaq shumë”, ka thënë ai.

Kryeministri në detyrë ka komentuar edhe prolongimin e krijimit të institucioneve nga ana e VV-së dhe LDK-së. Ai ka thënë se po e ka të vështirë të mbajë qeverinë në këtë gjendje, teksa ka kërkuar nga këto dy parti të ndërtojnë institucionet e reja.

“Kur kam dhënë dorëheqje në atë kohë nuk kam menduar se problemi do të jetë pas zgjedhjeve. Kemi pasur shqetësim se si do të shkojnë zgjedhjet dhe për fat ato shkuan në mënyrë më të mirë të mundshme si në jug ashtu edhe në veri dhe u pranua rezultati. Tani mendoj që është me rëndësi që të krijohen institucionet e vendit për shkak që ne po bëjmë qeverisjen kujdestare dhe nuk po e kemi lehtë ta mbajmë funksionimin shtetëror si një qeveri e dorëhequr disa muaj më parë. Po bëhen më zor për mua dhe qeverinë që e udhëhiqi”, ka thënë ai.

Haradinaj ka thënë se përgjegjësia për formimin e institucioneve të reja bie mbi partinë e parë, duke u bërë thirrje dy partive që sa më parë të gjejnë formulën për të formuar qeverinë dhe kuvendin.

“I bëj thirrje VV-së dhe LDK-së që të veprojnë dhe ta kryen në marrëveshje për qeverisje. Ajo çka kam thënë vazhdimisht nuk duhet të bartet përgjegjësia te i dyti dhe i treti, zakonisht fituesi mban përgjegjësi për të krijuar institucionet. Është gabim të mendosh se përgjegjësia është e barabartë për të gjithë. Vetëm fituesi ka përgjegjësi dhe ai duhet ta gjejë formulën qeverisëse adekuate dhe të fillojë me qeverisjen”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se zyrtarisht nuk është takuar pas zgjedhjeve as me Kurtin e as me Mustafën, ndërsa ka shtuar se AAK-ja në asnjë rrethanë nuk do të jetë pjesë e qeverisë VV-LDK.

“Unë nuk kam pasur asnjë bisedë me Kurtin, Mustafën për temat e ndërtimit të institucioneve. Jemi takuar në ndonjë pritje. Ne nuk jemi palë e bisedimeve. Jemi parti opozitare. Unë dhe Aleanca nuk e shohim si kauzë tonën pjesëmarrjen në një qeverisje VV-LDK, pra nuk jemi pjesë e saj, jemi opozitë. Por po presim prej atyre që i kanë fituar zgjedhjet që të jenë të zot ta gjejnë formulën dhe t’i ndërtojnë institucionet”, ka thënë Haradinaj për EO.

http://mesazhi.com/haradinaj-liberalizimi-ne-pranvere-shtyrjes-i-kontribuoi-edhe-vonesa-e-formimit-te-institucioneve/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here