Home Edukim Gjermania ka nevojë urgjente për fuqi punëtore

Gjermania ka nevojë urgjente për fuqi punëtore

22 views
0
SHARE

Katër vitet e fundit në Gjermani kanë gjetur punë 430.000 refugjatë. Ndër ta janë mbi 40.000 persona që kanë përfunduar kurset profesionale. Por kjo nuk mjafton as për së afërmi. Çdo e dyta sipërmarrje në Gjermani po përballet me mungesën e fuqisë së kualifikuar punëtore, ka konstatuar Dhoma e Industrisë dhe Tregtisë, një shoqatë shumë e madhe ekonomike.

Ndonjë përmirësim nuk shihet në horizont. Përkundrazi: Në vitet në vijim do të shkojnë në pension në Gjermani aq shumë punëtorë, sa që prej vitit 2030 do të mungojnë rreth gjashtë milionë punëtorë. Në firmat e zanatçinjve në Gjermani mungojnë aktualisht rreth 250.000 punëtorë, të cilët menjëherë mund të futen në punë.

Problemi është aq i madh sa që vetë Angela Merkel ka ftuar të hënën një samit në Zyrën e Kancelarisë. Karshi politikanëve nga niveli federal, në këtë samit kanë marrë pjesë edhe krerët e shoqatave të ekonomisë gjermane, shoqatave të sindikatave dhe krerët e Agjensisë për Punë.

Ministri i Financave, Olaf Scholz foli për një prej hapave më të rëndësishëm në ekonominë e Gjermanisë. Ai tha se për herë të parë në karrierën e tij politike janë të gjithë të një mendimi: “Se ne kemi nevojë për emigrantë dhe se kjo duhet të bëhet në mënyrë të organizuar”.

Ndërsa presidenti i punëdhënësve Ingo Kramer shtoi: “Rrallë herë kemi pasur kaq shumë konsensus për ndonjë çështje.”

Ligji i ri do të futet në fuqi me 1 mars 2020. Ai parashikon mundësinë që në tregun gjerman të punës të futen edhe punëtorë nga vendet jashtë Bashkimit Evropian. “Ligji paraqet një ndryshim paradigmash të llojit tonë dhe parashikon mundësinë e ardhjes në Gjermani të punëtorëve nga vendet jashtë BE”, tha kancelarja Merkel.

Në takimin e nivelit më të lartë bëhet fjalë për mundësitë që ligji të futet në fuqi dhe përdorim sa më parë që është e mundur. “Ekonomia e ka këtë nevojë”, tha presidenti i punëdhënësve Kramer. Nuk guxon të ketë procedura të stërzgjatura burokratike, nuk mund të ketë pritje dhe procedura që zgjasin me muaj të tërë.

“Neve na duhen procedura të cilat e bëjnë shumë të qartë se ne jemi të interesuar që njerëzit të vijnë tek ne”, tha kancelarja, e cila paralajmëroi të gjitha autoritetet e e brendshme dhe ato që kanë të bëjnë me të huajt, se duhet të bashkëpunojnë ngushtë mes vete.  Duhet të përshpejtohen edhe procedurat për dhënien e vizave. Ministri i Jashtëm Heiko Maas premtoi shtimin e kapaciteteve dhe digjitalizimin e procedurave për dhënien e vizave për punë. Kjo mundëson përpunimin e kërkesave për viza pune jo vetëm në ambasada por edhe në Gjermani. Nga viti 2021 këtë detyrë duhet ta marrë Zyra Federale për Çështjet e të Huajve. / DW

http://mesazhi.com/gjermania-ka-nevoje-urgjente-per-fuqi-punetore/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here