Home Edukim 10 persona të lënduar nga mjetet piroteknike kanë kërkuar ndihmë në QKUK

10 persona të lënduar nga mjetet piroteknike kanë kërkuar ndihmë në QKUK

10 views
0
SHARE

Rreth dhjetë persona kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, saktësisht në Klinikën Emergjente, gjatë dy ditëve të fundit si pasojë e lëndimeve nga mjetet piroteknike. Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Express, shefi i ekipës emergjente në QKUK, doktor, Avdush Bajgora. Sipas tij, pacientët nuk kanë pasur lëndime të rënda trupore.

“Fluksi i pacientëve nuk ka qenë i madh gjatë këtyre ditëve. Kanë qenë diku për këto tre ditë afro 10 pacientë të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore kryesisht nga dëmtimet që i kanë marrë si pasojë e mjeteve piroteknike të cilat i kanë përdorur gjatë natës së ndërrimit të moteve. Lëndimet nuk kanë qenë të rënda”, i tha Express’it doktori Bajgora.

Por krahas mjeteve piroteknike, kosovarët kanë festuar fundvitin edhe me armë. Sipas Policisë së Kosovës, një person në Prishtinë, derisa ishte në oborrin e shtëpisë së tij ishte goditur nga një “plumb qorr”. E disa vetura të tjera janë goditur nga armët.

“Rr. Bistrica Ilire, Prishtinë, 01.01.2020-00:02 Raportohet se viktima mashkull K-Shqiptar derisa ishte në oborrin e shtëpisë është goditur nga një ‘plumb qorr’. Viktima është dërguar në QKUK-në, i njëjti është jashtë rrezikut për jetë. Lidhur me rastin është informuar prokurori”, thuhet në raportin e policisë.

E ndërkohë në Prishtinë, një ankues ka raportuar në polici se vetura e tij u godit nga gjuajtjet me armë zjarri.

“Rr. Aziz Kelmendi, Prishtinë 01.01.2020-13:25. Është raportuar se pas pranimit të në informate për gjuajtje me armë zjarri në rrugë janë gjetur dhe sekuestruar  nëntë (9) gëzhoja kalibër i panjohur. Rasti duke u hetuar”, tregojnë nga policia.

Vetura, po ashtu, i është dëmtuar edhe një personi tjetër në Podujevë e një tjetri në Fushë Kosovë.

“Fsh. Sfeqel, Podujevë 01.01.2020-12:30. Ankuesi mashkull K/Shqiptar ka raportuar se vetura e tij është goditur nga një ‘plumb qorr’. Në vendin e ngjarjes është gjetur një predhë. Nuk raportohet për lëndime në njerëz ndërsa rasti vazhdon të hetohet”.

“Rr. Mehmet Behluli, F. Kosovë 31.12.2019-01.01.2020-23:00-14:50. Ankuesi mashkull K/Shqiptar ka raportuar se nga një ‘plumb qorr’ është goditur vetura  e tij. Nuk raportohet për të lënduar ndërsa rasti vazhdon të hetohet”, thuhet tutje në raportin e Policisë së Kosovës.

Por, ka pasur persona të tjerë të cilët në natën e ndërrimit të moteve kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Këtë herë si pasojë e dhunës në familje ku dhunuesit, kryesisht kanë qenë të dehur kur kanë sulmuar gratë e fëmijët e tyre.

Pas Policisë së Kosovës, janë dhjetëra raste ku kosovarët, kryesisht gratë, raportuan se burrat në gjendje të dehur i sulmuan fizikisht e psikikisht ato dhe anëtarët e tjerë të familjes, shkruan Gazeta Express

Një grua nga Fushë-Kosova, pak minuta pas mesnatës së ndërrimit të moteve, ka raportuar në polici se i dashuri i saj në ndikimin e alkoolit e ka sulmuar fizikisht atë si dhe ia ka demoluar shtëpinë.

“Fushë Kosovë 01.01.2020 00:05. Ankuesja femër K/Rome, ka raportuar se i dashuri i saj, i dyshuari mashkull K/Ashkali, nën ndikim të alkoolit, e ka sulmuar fizikisht si dhe e ka demoluar shtëpinë. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, deklaron nga policia.

Edhe në Gjilan, burri i dehur, në orën 05 të mëngjesit të një janarit e ka rrahur gruan dhe djalin e tij.

“Gjilan 01.01.2020-05:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar pasi që i njëjti (në gjendje të dehur) ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj djalit dhe bashkëshortes së tij-viktimave mashkull përkatësisht femër K/Shqiptare. Viktima mashkull ka pranuar trajtim mjekësor ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thotë policia.

Ndërkohë, në Pejë, një person po ashtu i dehur e ka sulmuar fizikisht vëllain e tij.

“Pejë 01.01.2020-01:20. Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar i cili nën ndikim të alkoolit, kishte sulmuar vëllain e tij. Me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është ndaluar në ndalim policor”, njoftojnë policia.

Dhunë derisa ishin në ndikimin e alkoolit kanë bërë edhe disa serbë në Leposaviq. Ata madje i kanë sulmuar edhe zyrtarët policorë.

“Leposaviq 01.01.2020-02:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Serb pasi që i njëjti (në gjendje të dehur) në një lokal-kafiteri ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull K/Serb të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore dhe po ashtu nuk u është bindur urdhrave të zyrtarëve policor, duke i sulmuar të njëjtit prej të cilëve njërit i ka shkaktuar lëndime. Zyrtari policor ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në sqarimet që Policia e Kosovës i ka dhënë në raportin e saj 24-orësh.

Tutje, sipas policisë, në 24 orët e fundit janë arrestuar dhjetë persona. Prej tyre katër janë dërguar në mbajtje si dhe tre të tjerë në ndalim policor.

http://mesazhi.com/10-persona-te-lenduar-nga-mjetet-piroteknike-kane-kerkuar-ndihme-ne-qkuk/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here